Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të enjten pa ndryshime apo rritje tarifat për konsumatorët.

Në mbledhjen e së martës, janë miratuar tri pika që lidhen me tarifat e energjisë elektrike për vitin 2026, përfshirë tarifat për sistemin e transmetimit, sistemin e shpërndarjes dhe furnizimin me shërbim universal, raporton Ekonomia Online.

Pika e parë e rendit të ditës: shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), u miratua me pesë vota.

Muharrem Gashi nga departamenti i tarifave ka thënë se analizat janë bërë në përputhje me kornizën rregullative në fuqi.

“Këto analiza janë bërë në përputhje me pikën e parë të rendit të ditës: shqyrtimi i propozimeve për tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit të tregut. Kostoja e ciklit të operimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë ka ndikuar në tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për fondin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi”, theksoi Gashi.

Ai tregoi se tarifat për shfrytëzimin e sistemit dhe tregut mbulojnë: Kostot totale të operimit, mirëmbajtjes, investimeve dhe zhvillimit të sistemit të transmetimit.

“Kjo është në përputhje me vendimin e Bordit të ZRRE-së për të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 76 milionë e 484 mijë euro për vitin relevant tarifor 2026. Në aplikacionin nga KOSTT-i, shitjet për konsumatorët e kyçur në nivel transmetimi janë paraqitur në 570.7 gigavat orë (GËh), ndërsa pas verifikimit nga ZRRE-ja, ne kemi korrigjuar këtë vlerë në 329 gigavat orë (GËh)”.

Ky ndryshim, shtoi ai, “ka ndikuar drejtpërdrejt në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut”. “Të hyrat e lejuara maksimale mblidhen përmes tarifave ndaj gjeneratorëve për përdorim të rrjetit në nivel transmetimi dhe shpërndarjes”.

Po me pesë vota është miratuar edhe shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).

Adelina Lokaj nga departamenti i tarifave ka deklaruar se tarifat e propozuara synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes.

“Po vazhdojmë me prezantimin e tarifave për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes, ku këto tarifa synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes në përputhje me të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 145 milionë e 960 mijë euro për vitin relevant 2026”, tha Lokaj.

“Në kërkesën e saj, KEDS-i ka propozuar mbajtjen e tarifave aktuale duke u bazuar në një nivel të shitjeve prej 5,581 gigavat për orë, përderisa ZRRE-ja ka marrë në konsideratë bilancin e energjisë elektrike të aprovuar me një nivel të shitjeve prej 5,745 gigavat për orë”, shtoi ajo.

Si rezultat i kësaj diference, ajo potencoi se tarifa mesatare ka pësuar një rënie rreth 2.7 për qind. “Kjo është llogaritur nga Departamenti i Tarifave dhe Çmimeve, e cila ka qenë në raport me kërkesën e KEDS-it që kemi pranuar, edhe që kjo diferencë është reflektuar edhe në tarifat e rrjetit të shpërndarjes sipas niveleve të tensionit”.

“Tarifat janë strukturuar në mënyrë që të reflektojnë vëllimin e konsumit të energjisë dhe një shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve, respektivisht niveleve të tensionit”, pohoi.

Në këtë mbledhje u miratua edhe pika për shqyrtimin e propozimit për miratimin e Tarifave për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO), pa ndryshime apo rritje të tarifave.

Muharrem Gashi theksoi se ZRRE-ja nuk e ka mbështetur propozimin për ndryshimin e strukturës tarifore. Ai theksoi se kanë vlerësuar se një ndryshim i tillë kërkon konsultim publik dhe procedurë të veçantë.

“Në kuadër të aplikacionit, tarifa furnizuese me shërbim universal ka propozuar me ndryshu strukturën tarifore, përkatësisht me eliminimin e diferencimit të ditë/natë dhe tarifave, me hek një tarifë e me apliku një tarifë të unifikuar”, pohoi ai.

“Ne si ZRRE vlerësojmë se ky ndryshim kërkon një proces të veçantë dhe konsultim publik, për të cilin nuk ka pasur kërkesë nga furnizuesi i shërbimit universal. Prandaj, ZRRE nuk mendon që ky propozim duhet të aprovohet dhe mendojmë që duhet të mbetet pa ndryshuar struktura ekzistuese tarifore dhe niveli i tarifave”, shtoi ai.