Në nëntor të vitit 2022, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë braktisën institucionet e drejtësisë, duke dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat.
Gati katër vjet më vonë, 15 prej tyre i janë drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës me kërkesë për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthim në sistem.
Kjo çështje u diskutua në mbledhjen e KPK-së, pasiqë u ngrit nga zëvendëskryesuesi i Këshillit, Dardan Vuniqi.
Shumica e anëtarëve të KPK-së mbajtën qëndrim të njejtë që ligji nuk njeh dorëheqje të motivuara politikisht që mund të tërhiqen vite më vonë.
Sipas tyre, dorëheqjet e vitit 2022 ishin vendime politike dhe për këtë arsye nuk ekziston bazë ligjore për rikthimin e tyre në detyrë.
Ndryshe nga anëtarët e tjerë, Kryeprokurori i sapozgjedhur i Shtetit, Zejnulla Gashi, nuk dha një qëndrim konkret për çështjen.
Ai u arsyetua se nuk është informuar mjaftueshëm për rastin, pasi vetëm së fundmi ka marrë detyrën.
“Mbes pranë qëndrimit dhe inkurajimit edhe të kolegëve nga komuniteti serb që të jenë pjesë e sistemit prokurorial. Sa i përket kësaj teme, kësaj problematike, dua të them, sinqerisht dua të them se nuk kam qenë i njoftuar me kohë, që kur e kam marrë detyrën, mandatin tim si Kryeprokuror, dhe nuk jam njoftuar me këtë problematikë, andaj mbes pranë qëndrimit apo linjës me kryesuesin sa i përket kësaj problematike”, deklaroi Gashi.
Në përfundim të diskutimit, KPK-ja refuzoi kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës nga komuniteti serb në Prokurorinë e Mitrovicës. Njëkohësisht, Këshilli ia përcolli Presidentes së Kosovës emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.









