Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, nuk ka treguar nëse i kanë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.
“Ta shohim”, ka thënë Sveçla për gazetarët.
Ndryshe, sot, e mërkurë, do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë së re, ku i mandatuari i dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, do të vihet në provë nëse i ka apo jo 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur Kryeministër i Kosovës.
Seanca, që do të fillojë në ora 14:00, mbahet në ditën e fundit të afatit kushtetues, pra ditën e 15-të që kur Konjufca është mandatuar nga Presidentja Vjosa Osmani.
Para kësaj, Kuvendi do të mbajë një seancë tjetër në ora 11:00, e cila është thirrur nga VV-ja, në lidhje me miratimin e buxhetit, formimin e komisioneve parlamentare e votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.
Tentativa për formimin e Qeverisë nga Konjufca vjen pas dështimit të Kryetarit të VV-së, Albin Kurti, për t’u rizgjedhur Kryeministër për herë të tretë.
Nga VV nuk kanë bërë të ditur nëse Konjufca i ka 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeministër. Partitë opozitare janë deklaruar njëzëri se nuk kanë votë për një Qeveri Konjufca.









