Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) do të vazhdojnë edhe sot grevën e përgjithshme që ka nisur të hënën për shkak të mosekzekutimit të pagave.

Nga sindikata e punëtorëve të RTK-së kanë bërë të ditur se nuk do të ketë edicion të lajmeve në orën 11:00 dhe 13:00. Kjo grevë do të zhvillohet në këtë orë çdo ditë, pra do të pezullohen të gjitha punët në të gjitha sektorët.

Sindikata u ka kërkuar falje qytetarëve, por ka thënë se kjo grevë po vjen për shkak të mosekzekutimit të pagave pothuajse që dy muaj.

Ata kanë kërkuar sërish nga organet përgjegjëse që të marrin masa urgjente për zgjidhjen e kësaj krize, në mënyrë që punëtorëve t’u garantohen të drejtat e tyre ligjore dhe institucioni të vazhdojë punën pa pengesa.

Sindikata ka bërë me dije se greva do të vazhdojë deri në alokimin e buxhetit për RTK-në dhe se, përveç grevës, do të organizojnë protestë edhe para Qeverisë e Kuvendit ditët në vijim.