Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 62 vota, 36 kundër e pa asnjë abstenim, ka aprovuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2026.

Opozita ka votuar kundër projektligjit të propozuar nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi asnjë nga amendamentet e tyre të propozuara nuk janë përfshirë në pakon buxhetore.

Buxheti i këtij viti parashihet të ketë vlerën e 4 miliardë eurove, prej të cilave 3.64 miliardë të hyra e 360 milionë kredi dhe deficit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ky buxhet është i përkohshëm dhe emergjent e se i njëjti do të rishqyrtohet për të reflektuar prioritetet e Qeverisë Kurti III.

Shefi e grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka thënë se buxheti i propozuar ka shumë gabime, duke i tërhequr propozimet e grupit të tij që s’morën mbështetje në Komisionin për Buxhet.

Financieri i ekzekutivit, Hekuran Murati, ka thënë se propozimet nga opozita s’janë pranuar për shkak të situatës emergjente, që ka pamundësuar propozime edhe nga vet ministrat e sapozgjedhur.