Osman Musliu, hoxha deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar disa deputetë që në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit pas vrasjes së Arlinda Zekajt, qeshnin.

Në një prononcim për media nga hapësirat e Kuvendit, Musliu tha se i është dukur se deputetët nuk po e përjetonin rastin e Arlindës.

“Unë edhe atë ditë në Kuvend kur kam diskutu kam qenë shumë emocional. Pse? Mu duke sikur deputetët nuk po e përjetojnë, folshin disa, më binin në vesh disa fjalë irrituese”, tha Musliu.

Ai theksoi se rastin e Arlinda Zekajt e ka përjetuar si të ishte vajza apo motra e tij. “Edhe tash mendoje veten në atë pozitë edhe zgërdhiu, qeshu, n’mujsh me qesh. Është e rëndë. Është e vështirë”.

“Pra, unë mendoj që ne si popull këto sene duhet me i marrë ma serioz. Fëmijët tanë me qenë të qetë. Gratë tona me qenë të qeta…”, potencoi ndër të tjera Musliu.

Sipas pamjeve të publikuara nga mediat, në seancën e së hënës së kaluar, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, shihen duke qeshur me njëri tjetrin.

Arlinda Zekaj u vra me sëpatë të dielën e 25 tetorit nga kunati i saj.

Shteti dështoi që ta mbronte atë, përkundër kërkesave të vazhdueshme të saj drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.