Avokati i Hashim Thaçit në procesin për krime lufte në Hagë, Luka Misetiç, ka reaguar pasi që Prokuroria atje kërkoi që ai të dënohet me gjashtë vite burgim nën dyshimin se ka kryer veprën “Administrimi i drejtësisë”.

Sipas tij, Prokuroria po kërkon që ish-Presidenti i Kosovës të dënohet për biseda brenda njësisë së paraburgimit, të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale.

“Nuk ka pretendime për ryshfet, detyrim apo kërcënim ndaj dëshmitarëve. Nuk pretendohet as ndërhyrje reale ndaj dëshmitarëve. Nuk ka viktimë në këtë rast. Prokuroria po kërkon që z. Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burg për biseda brenda njësisë së paraburgimit, të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale”, shkroi Misetiç në “X”, duke iu referuar deklarimit të avokates Menegon në seancë.

Në paraqitjen e fjalës përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vite burgim për Hashim Thaçin me pretendimin se ka kryer veprën e administrimit të drejtësisë.

Përpos tij, në aktakuzë janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

ZPS kërkoi që Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu të dënohen me 3 vjet burgim, kurse Hajredin Kuçi me 9 muaj burgim.