Xhafer Tahiri ka përdorur logon e Lidhjes Demokratike të Kosovës kur sot nënshkroi marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen në garën e balotazhit në Vushtrri, por ai nuk ka pëlqim nga LDK për këtë bashkëpunim.
Në një komunikatë për media, LDK e ka quajtur veprimin të papranueshëm dhe në kundërshtim me procedurat statutare të LDK-së.
Komunikata e plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.
Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera.









