Gjykata Speciale ka publikuar dokumentet që lidhen me kërkesat e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa për të vizituar babanë e tij sa ai ishte ende gjallë, i sëmurë në spital. I dënuari me 15 vjet heqje lirie, kishte kërkuar nga gjyqtari që t’i mundësohej një vizitë, mirëpo e njëjta nuk ishte aprovuar me kohë. Gjykatësi ishte thirrur në “procedura” e madje kishte konstatuar se Mustafa s’kishte dhënë detaje të mjaftueshme për gjendjen e babait të tij.

“Të gjitha gjasat që babai i Mustafës të mbijetojë në këtë fazë janë shumë të zymta. Është e rëndësishme të veprohet shpejt në mënyrë që – në rast se babai ndërron jetë – Mustafa të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të tij, derisa ai të jetë ende gjallë”, thuhej në kërkesën fillestare të avokatit të “Calit”, në të cilën ishin bashkëngjitur edhe raportet mjekësore.

DOKUMENT:

Gjyqtari i vetëm i caktuar të merret me kërkesën e Mustafës, Gilbert Bitti, nuk ishte bindur me informacionet që Salih Mustafa kishte dhënë për gjendjen kritike të babait të tij. Ai lëshonte urdhër që të jepen informacione dhe përditësime nëse Jahja Mustafa do t’i nënshtrohej operacionit ose jo.

Madje, në një situatë, gjyqtari ishte ankuar se pse raportet mjekësore nuk po i tregoheshin edhe Prokurorisë.

“Për më tepër, Gjyqtari i Vetëm, pasi ka shqyrtuar Kërkesën dhe Aneksin 1, vëren se babai i z. Mustafës është shtruar në spital [REDACTED] në Prishtinë, por se nuk është e qartë nëse ai mund ose do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në një të ardhme të afërt. Për të marrë një vendim të informuar, Gjyqtari i Vetëm e urdhëron z. Mustafa që t’i paraqesë Gjykatësit të Vetëm një përditësim mbi: (i) gjendjen shëndetësore të babait të z. Mustafës; dhe (ii) kohën se kur babai i z. Mustafës do t’i nënshtrohet operacionit (Përditësimi)”, thuhet tutje në dokumentin e lëshuar nga Gjykata.

“Gjyqtari i Vetëm vëren se z. Mustafa, në mbështetje të Kërkesës për lirimin e përkohshëm, ka bashkëngjitur një raport mjekësor konfidencial që përmban informacione të mëtejshme mbi gjendjen shëndetësore të babait të z. Mustafës dhe qëndrimin e tij në spital, i cili është i qasshëm vetëm për Gjyqtarin e Vetëm dhe Regjistrin (Aneksi 1). Në raste të ngjashme, raportet mjekësore janë ndarë plotësisht me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Regjistrin. Në rastin konkret, Mbrojtja nuk arrin të arsyetojë pse Aneksi 1 nuk mund të ndahet, në mënyrë konfidenciale, me ZPS-në. Duke pasur parasysh urgjencën e Kërkesës, Gjyqtari i Vetëm e sheh të nevojshme, në përputhje me Rregullën 82(5) të Rregullores, t’i urdhërojë Regjistrit që të heqë shënimin ex parte të Aneksit 1 përballë ZPS-së, në mënyrë që kjo e fundit të mund të paraqesë parashtresa kuptimplota në përgjigje”, shton.

DOKUMENT:

Përfundimisht, më 25 dhjetor babai i Salih Mustafës kishte ndërruar jetë. Ishte vetëm atëherë, kur gjyqtari i ishte drejtuar me letër “Calit” duke e pyetur nëse do ta modifikojë kërkesën e tij, që tani ta vizitojë varrin e prindit.

Mustafa, i ishte përgjigjur negativisht kësaj kërkese.