Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete politike mes dy palëve.
Abdixhiku ka thënë se takimi mbi treorësh është zhvilluar në frymë konstruktive dhe me vullnet të mirë, por sipas tij, diskutimet do të vazhdojnë edhe më tej.
Ai ka paralajmëruar se në rast se nuk arrihet një zgjidhje politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
“Do të vazhdojmë takimet, po kaq vullnet të mirë. Në qoftë se s’bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar do të jenë zgjedhjet e reja. Dhe besoj që kjo s’është as lajm i mirë për popullin e Kosovës, as lajm i mirë as për partitë politike”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se ky ishte takimi i dytë ndërmjet dy palëve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke theksuar se partia e tij synon shmangien e një procesi të ri zgjedhor.
“Me çdo çmim e me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, të katërtat me radhë për më pak se dy vite. Besoj se kështu e respektojmë jo vetëm interesin e LDK-së, por interesin e Republikës së Kosovës, e cila ka nevojë për stabilitet institucional dhe për punë, më tepër se sa për dramë politike”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka bërë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje programore, politike dhe strategjike, ndërsa ka theksuar se bisedimet janë ende në nivel parimor.
“Nuk kemi folur për emra konkretë, prandaj ende jemi në diskutimet e parimeve”, ka deklaruar ai.
Ai ka ritheksuar se për një marrëveshje të mirë LDK-ja i ka të gjitha votat, por për një marrëveshje që nuk përputhet me parimet e partisë, nuk do ta ketë as mbështetjen e tij.
“Për marrëveshje të mirë i kemi të gjitha votat, për marrëveshje jo të mirë nuk e keni as votën time”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se nëse deri më 6 gusht nuk ka zhvillime konkrete, LDK-ja kërkon që të vazhdohet me procesin e konstituimit të Kuvendit.









