Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit u është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale, rreth më pak se një muaj para nisjes së fazës së dhënies së deklaratave përfundimtare. Vendimi është marrë sot nga Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
Në arsyetim, Paneli ka rrëzuar shumicën e argumeneteve të mbrojtjes, duke rikonfirmuar ato të Prokurorisë.
“Paneli vëren se, siç u diskutua më lart, përfundimi i procedurës së administrimit të provave është një faktor që ul rrezikun e pengimit të drejtësisë dhe të përsëritjes së veprës penale, por megjithatë konsideron se këto rreziqe mbeten të konsiderueshme dhe rikujton e rithekson se: (i) z. Krasniqi akuzohet për dhjetë pika për krime të rënda ndërkombëtare, në të cilat pretendohet se ka pasur një rol të rëndësishëm; (ii) nëse shpallet fajtor, z. Krasniqi mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten në mënyrë të mjaftueshme përmes zbatimit të masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) klima e frikësimit të dëshmitarëve e përshkruar më lart; dhe (vi) fakti që gjykimi është ende në zhvillim”, thuhet në vendim.
Gjatë muajit shkurt, palët do të kenë fjalët përfundimtare dhe aktgjykimi pritet të shpallet brenda 90 ditëve. Të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të kenë mundësi të flasin më 18 shkurt. Parashihet, që secili prej tyre të ketë 20 minuta kohë për dhënien e deklaratave.
DOKUMENT:
