Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se përafrimi me ish-Presidenten, Vjosa Osmanin, është qëllim i tij.

“Përafrimi do të ishte një lajm i mirë për Kosovën edhe për LDK-në edhe është qëllimi i imi dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”, ka thënë Abdixhiku për gazetarët të hënën, duke theksuar se ai takohet me Osmanin, janë miq dhe njihen mirë.

I pyetur se cilat janë kushtet për rikthimin e Osmanit në LDK, ai theksoi se s’kanë kushte dhe se “bashkimi s’kërkon kushte, kërkon afrim koordinim të mbarë shiqim drejt së ardhmes një alternativë serioze për vendin diçka që është më konkrete që s’krijon kriza të vazhdueshme por që punon për qytetarin”.

Zërat për rikthimin e Osmanit në LDK u shtuan pasi që ajo nuk u rikandidua nga Lëvizja Vetëvendosje edhe për një mandat si Presidente.

Osmani ishte larguar nga LDK-ja në vitin 2021. Ajo kishte themeluar një iniciativë të quajtur Lista GUXO, në fillim të vitit 2021. Me këtë iniciativë, Osmani kishte bërë koalicion me Albin Kurtin, duke u bërë pjesë e listës së VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në ato zgjedhje, Osmani kishte garuar për Presidente, ndërsa Kurti për Kryeministër. Pas fitores me mbi 50 për qind, binomi kishte marrë të dy pozitat.

Humbjen më të madhe në zgjedhjet e 2021-së do ta kishte LDK-ja. Kjo parti do të merrte rezultatin më të dobët në histori, rreth 13 për qind.

Për shkak të këtij rezultati të dobët, Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i LDK-së.

Osmani ka pasur pozita kyçe në LDK. Madje, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ajo ishte mandatuar nga partia si kandidate për Kryeministre.

Në ato zgjedhje, Osmani ishte renditur e dyta, pas Kurtit.

Për shkak të marrëveshjes për bashkëqeverisje me VV-në, Osmani do të zgjidhej Kryetare e Parlamentit.

Çarja e Osmanit me LDK-në kishte filluar kur ajo kishte dalur kundër prishjes së koalicionit me VV-në, pasi që Albin Kurti, si Kryeministër, e kishte shkarkuar Agim Veliun e LDK-së nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Osmani kishte dalur kundër formimit të Qeverisë së re nga bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti.