Partia Demokratike e Kosovës sot shënon 27-vjetorin e themelimit, ndërsa dy kryetarët e saj të parë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, gjenden në Hagë.

Kryetari aktual i PDK-së, Bedri Hamza, ka uruar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e partisë për këtë përvjetor.

Hamza tha se PDK-ja është forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke përmendur edhe ish-kryetarët e saj që gjenden në Hagë.

“Sot është ditëlindja e PDK-së, 27-vjetori i familjes sonë politike. Partia Demokratike e Kosovës lindi në shpirtin e rezistencës, atëherë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për forcë, guxim, vizion dhe përkushtim. Jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Jemi partia e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, që nuk u thyen dhe nuk u përkulën kurrë”, ka shkruar Hamza.

Ai tha se me mbushjen e 27 vjetëve, përgjegjësia e partisë është ruajtja e trashëgimisë politike dhe vazhdimi i angazhimit për zhvillimin e Kosovës.

“Jemi krenarë për të kaluarën. Qëndrojmë të bashkuar në të tashmen. Dhe punojmë me përgjegjësi për të ardhmen e brezave që vijnë. Gëzuar 27-vjetorin, anëtarë, struktura dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës!”, ka përfunduar Hamza.