Bashkimi Evropian ka nxjerrë një reagim ndaj mbylljes së zyrave për fondet e sigurimeve dhe pensioneve serbe në veri të Kosovës. Në deklaratë, Bashkimi Evropian e ka cilësuar këtë veprim si të pakoordinuar dhe të njëanshëm nga autoritetet e Kosovës.

“Kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së. BE-ja vazhdimisht ka deklaruar se statusi i tyre duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë që të shmanget nga veprimet e tilla të pakoordinuara, ndërsa ka kërkuar që të përmbahen nga “provokime të tilla dhe veprime të dëmshme”.

Një ditë më parë, Komuna e Mitrovicës së Veriut i tha Radio Evropës së Lirë se Inspektorati komunal, me mbështetje të Policisë së Kosovës, ka shtrirë kontrollin në hapësirat e këtyre institucioneve që funksionin në lidhje me sistemin serb.

Kjo deklaratë e Bashkimit Evropian vjen vetëm një ditë pasi Ambasada Amerikane në Kosovë njoftoi për pezullimin me kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, njoftim ky që prodhoi reagime të shumta në publikun e Kosovës.