Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë paraqitur këtë të premte(28 gusht) në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës. Ata kanë kërkuar që të thirret seanca konstituive nga ana e Vetëvendosjes dhe Kryesuesit nga kjo parti, Avni Dehari. Të pranishëm në sallë janë edhe zyrtarë të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian.

PDK dhe AAK tash edhe përmes aksioneve simbolike po kërkojnë thirrjen e seancës konstituive, e cila sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të përfundonte deri më së largu më 7 gusht.

Përmes Kryesuesit të seancës, Avni Dehari, si deputeti më i vjetër i legjislaturës, Vetëvendosje ka refuzuar ta thërrasë seancën. Ky subjekt politik ka kërkuar “kohë” deri në gjetjen e një pajtueshmërie për emrin e Presidentit, për çka me Lidhjen Demokratike të Kosovës tanimë ka mbajtur disa takime.