Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se VV-ja i ka votat për formimin e Qeverisë, duke lënë të kuptohet se nuk ka nevojë për një koalicion qeverisës.
Pas formimit të Qeverisë, Nagavci theksoi se do të vazhdojnë me zgjedhjen e Presidentit, për çka tha se do angazhohen për arritjen e konsensusit.
“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha Nagavci për Radion Evropa e Lirë.
Ajo theksoi se VV-ja “do të bëjë gjithçka që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit”.
“Andaj, është e nevojshme që deputetët, të cilët kanë fituar besimin e qytetarëve, të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe ta zgjedhim presidentin/en, në mënyrë që ta tejkalojmë bllokadën në të cilën ndodhemi, të shmangim edhe një palë zgjedhje dhe të vazhdojë puna me kompetenca të plota në të gjitha institucionet”, shtoi ajo.
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, Vetëvendosje doli e para me 53 deputetë.
Duke llogaritur në votat e komuniteteve joshumicë joserbe – që janë 10 sosh – VV-ja mund ta formojë Qeverinë pa koalicion me ndonjërën prej partive shqiptare, pasi që duhet vetëm shumicë e thjeshtë – 61 deputetë.
Por, për zgjedhjen e Presidentit duhen që së paku 80 deputetë të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim.









