Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka deklaruar të premten se Sami Lushtaku nuk ishte i përfshirë direkt në incidentin e djeshëm, ku u sulmua një zyrtar i Vetëvendosjes, Hysni Mehani. Ai gjithashtu tha se Lushtaku nuk ka pranuar kurrfarë ftese zyrtare për paraqitje në prokurori.
“Sa i përket incidentit, sipas informacioneve që ne kemi, zoti Lushtaku nuk ka qenë i përfshirë direkt. Por, këtë çështje do ta zbardhin organet përgjegjëse, të cilat tash janë duke punuar në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.
“Si komunë e Skenderajt kërkojmë nga organet kompetente që të jenë objektive, sepse në momentin kur po flasim, dy zyrtarë të cilët nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes janë dërguar në polici nga dje pasdite. Ekzistojnë edhe dëshmi për këtë çështje”.
Nura deklaroi se kryetari i komunës do t’i përgjigjet ftesës zyrtare eventuale për paraqitje në prokurori.
“Përndryshe, ftesë zyrtare ende nuk kemi si institucion. Jemi duke e pritur. Në momentin që e kemi ftesën zyrtare, sigurisht që zoti Lushtaku do t’i përgjigjet, qysh iu ka përgjigjur gjithmonë”, ka thënë ai.
“Unë deri në ora 4 kam qenë në kontakt me komandantin e policisë dhe i kam shprehur gatishmërinë t’i përgjigjem intervistës nëse është nevoja. Rastin e kanë marrë nga niveli qendror, nga Prishtina, dhe janë në procedurë të intervistimit të një pjese të dëshmitarëve”, është shprehur Nura.
Nënkryetari i Skenderajt ka kritikuar prezencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës mbrëmë në këtë qytet.
“Shprehim indinjatën e thellë si institucion për prezencën e mbrëmshme të një mase policore të jashtëzakonshme që ka qenë në Skenderaj deri diku pas mesnatës, sepse një gjë e tillë konsiderojmë se është krejtësisht e panevojshme. Sepse edhe zoti Lushtaku, edhe ne, jemi të gatshëm t’i përgjigjemi institucioneve të drejtësisë”, është shprehur ai.
Ai shprehu keqardhje për incidentin dhe shtoi se ky është një produkt i gjuhës së kontaminuar në debatin publik.
“Më lejoni që të shpreh keqardhje për incidentin e djeshëm të ndodhur në Komunën e Skenderajt. Fatkeqësisht, ky incident është produkt i një gjuhe të kontaminuar të komunikimit publik, të cilin e ka instaluar dhe po e promovon VV-ja. Kjo nuk është hera e parë, ju e dini besoj që edhe në zgjedhjet e kaluara gjatë fushatës qytetarët e Skenderajt janë provokuar me tre gishtërinjtë”, ka thënë Nura.
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka mohuar përfshirjen direkte në incident, duke thënë se ishte një reagim i qytetarëve ndaj etiketimeve të Hysni Mehanit drejtuar atij.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.









