“Tejkalimi i rolit kushtetues dhe krijimi i një pushteti paralel”, “mungesë serioze konsistence” e “luftë ndaj Qeverisë” ka cilësuar Lëvizja Vetëvendosje vendimin e Kushtetueses në lidhje me çështjen e zgjedhjes së Nenad Rashiç-it nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, e cila konstatoi se procedurat për zgjedhjen e tij në atë pozita nuk kanë qenë në përputhje me aktin juridik më të lartë në vend.
“Në aktgjykimin KO265/25, paragrafi 129, Gjykata konstatoi shprehimisht se moslejimi i propozimit të të njëjtit kandidat më shumë se tre herë, vlente edhe në rastin e nënkryetarëve. Tani Gjykata ka konstatuar pikërisht të kundërtën, duke e ndryshuar qëndrimin e vet plotësisht”, kanë shkruar nga VV në Facebook.
Brenda katër muajsh, për të njëjtën çështje kushtetuese, sipas VV-së, Gjykata “ka ndërruar jurisprudencën pa asnjë ndryshim normativ apo faktik”.
“Parimi i sigurisë juridike është element strukturor i shtetit demokratik dhe kusht sine qua non [shprehje juridike frënge dhe do të thotë: shpërdorim i së drejtës] për legjitimitetin e vet autoritetit gjyqësor. Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë të së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues”, thonë nga VV.
“Një ndryshim i tillë”, thonë nga VV-ja, “nuk mund të justifikohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon elementi thelbësor i tij evolucioni i rrethanave normative ose shoqërore”. “Në këto kushte, ndryshimi i qëndrimit merr karakterin e një përdorimi formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ, çka përbën formë klasike të abus de droit”.
Ata thonë se Gjykata Kushtetuese “nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik”. “Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh”.
Partia më e madhe në Kosovës, pretendon se Gjykata aktuale Kushtetuese “është duke bërë hermeneutikë të teksteve të veta”. “Kur Gjykata Kushtetuese bëhet autoreferenciale, ajo kalon jashtë kufijve kushtetues. Kushtetuta nuk interpretohet përmes vetëvendimeve të Gjykatës, por përmes tekstit, strukturës dhe qëllimit të saj”.
“Zgjerimi i rolit të Gjykatës Kushtetuese me këtë përbërje nuk është rastësi e as rast i izoluar. Në vijimësi, edhe në shumicën e kolegjeve të kaluara, me disa përjashtime, është ndjekur e njëjta prirje: zgjerim gradual i kompetencës përtej mandatit kushtetues. Në këtë mënyrë, qëllimisht po formësohet një pol pushteti paralel dhe i padukshëm nga sovrani, i cili shfaqet sa herë demokracia fillon të marrë hov dhe jeta realpolitike prodhon kontradikta”.
Madje, VV e ka akuzuar Kushtetuesen se “dhjetëra ligje reformuese e me interes për vendin i ka bllokuar, e pastaj shfuqizuar pjesërisht ose në tërësi shumicën prej tyre”. “Kjo luftë e tyre ndaj Qeverisë po bën aq shumë dëme: nga rrëzimi i Ligjit për çmime tavan për produktet bazë e deri te bllokimi tash e 770 ditë i Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë: nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit. Ajo nuk flet për shumicën e deputetëve serbë, as për legjitimitet të brendshëm komunitar dhe as për ekskluzivitet partiak. Çdo kriter shtesë është krijim norme, jo interpretim”.
Duke iu referuar Dispozitave të Propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit, nga VV thonë se ato “njohin përfaqësimin e komuniteteve, jo dominimin e një subjekti politik mbi institucionet. Aty flitet për komunitete, jo për parti”.
“Gjykata Kushtetuese sot po bën të kundërtën, po e ngushton Propozimin e Ahtisarit përtej tekstit dhe qëllimit, duke krijuar në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret politik Listën Serbe. Gjykata Kushtetuese po dëshiron të kapërcejë ekipin negociator të vitit 2006 dhe Ahtisaarin në 2007”.
Teksa Kushtetutën për këtë çështje, sipas VV-së, “tashmë e ka shndërruar në materie diskutimi dhe tkurrjeje, jo zbatimi”.
“Çdo interpretim që e sakrifikon këtë funksionalitet për hir të një subjekti politik, i cili për më keq s’e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë. Sipas Kushtetutës ne jemi shoqëri multietnike, jo shtet multietnik, sepse jemi Republikë demokratike e parlamentare dhe jo federatë a konfederatë. Këtë nuk mundet ta ndërrojë asnjë gjykata, as kjo kushtetuesja”.