Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar ende qëndrim sa i përket rifillimit të Dialogut Strategjik me Kosovën. Departamenti Amerikan i Shtetit, ka ritheksuar se kjo varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj Serbëve të Kosovës.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Në një takim me senatoarët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar rikthimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në shtator të vitit të kaluar, Ambasada e SHBA-ve njoftoi për vendimin për pezullimin e dialogut, duke thënë se ai u mor për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, e të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Vendimi erdhi pasi Qeveria e Kosovës ndërmori disa veprime në veri të vendit.

Në anën tjetër, SHBA-të kanë nisur tashmë raundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë.

Në këtë proces synohet thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.