Avokati i Popullit në Kosovë ka thënë se përgjegjësia që i është caktuar Ombudspersonit në Dhomat e Specializuara në Hagë, në asnjë formë “nuk nënkupton, përjashtim të kompetencës së Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës për t’u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara”.

Sipas Avokatit të Popullit në Prishtinë, përgjegjësitë e caktuara për Ombudspersonin në Hagë, përbëjnë “detyrim për të vepruar, dhe jo të drejtë për të penguar veprimin e institucioneve të tjera”.

“Siç e kuptoj unë çështjen, deri më tani, Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin e saj monitorues për t’iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me të drejtat e njeriut të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Në reagim gjithashtu thuhet se që nga viti 2021, Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë edhe përmes korrespondencës zyrtare të mëvonshme, ndaj së cilës nuk është dhënë asnjë përgjigje.

“Këtë reagim e shohim me shumë interes, sepse reagimet publike duke vendos kritika e kufizime të mandatit të një autoriteti kushtetues siç është Avokati i Popullit dhe duke u sjell me qëndrime arbitrare dhe ta pa arsyetuara, përben veprim që cenon rolin  dhe peshën e një Institucioni të pavarur kushtetues dhe shpërfaq tendencë për të manifestuar refuzim të kontrollit demokratik, kritikës konstruktive dhe debatit publik”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit në Kosovë.

Reagimi vjen pasi që në një reagim nga Dhomat e Specializuara më 13 tetor, u relativizua roli i Ombudspersonit në Kosovë, duke thënë se Avokati i Popullit në Kosovë ka kompetencë ekskluzive për të monitoruar, mbrojtur e garantuar të drejtat e të akuzuarve në Hagë.

“Në bazë të nenit 162 (11) të Kushtetutës dhe nenit 34 (9) të Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, z. Pietro Spera, ka autoritetin ekskluziv për të  monitoruar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”,  thuhej në reagimin e Avokatit të Popullit.