Lulzim Hetemi, ish-Kryetar i Komunës së Leposaviqit, është emëruar zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim. Ai do të jetë zëvendës i Nenad Rashiç-it.
Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria e Kosovës, të martën.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Lulzim Hetemi në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se Kurti e ka uruar Hetemin për detyrën e re dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat Veriore – Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan – të 23 prillit 2023, Hetemi ishte zgjedhur Kryetar i komunës së Leposaviqit. Ato zgjedhje ishin bojkotuar nga serbët lokalë, të cilët janë shumicë në atë qytet të Kosovës.
Hetemi, që ishte futur në objektin e komunës së Leposaviqit me asistencë të Policisë së Kosovës, kishte qëndruar i mbyllur për muaj të tërë në zyrën e tij, për shkak të protestave të vazhdueshme të serbëve lokalë, të cilët kundërshtonin zgjedhjen e tij si i pari i komunës.









