Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur përballë ka Gjykatën Kushtetuese, bilanci i saj është negativ. Nga koha kur ishte këshilltare në Presidencë, te roli si deputete e LDK-së dhe tani si presidente e vendit, Osmani ka hyrë disa herë në betejë me Kushtetuesen – dhe në të gjitha rastet ka dalë e humbur.

Ajo, të martën, do të dërgojë komente në Kushtetuese në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi që Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, pas ankesës së Listës Serbe.

Nga kabineti i Osmanit nuk kanë dhënë detaje se cilat do të jenë komentet e presidentes, mirëpo kanë thënë se askush nuk ka të drejtë t’i bllokojë institucionet.

“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin…”, thuhet në përgjigjen e presidentes.

Para se Osmani të dërgojë komente për një lëndë që është dërguar nga Lista Serbe, ajo kishte tërhequr kërkesën dërguar në korrik në Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Sipas saj, arsyeja e tërheqjes së kërkesës ishte gjyqtari serb në Kushtetuese, Radomir Llaban, i cili ishte caktuar gjyqtar raportues në kërkesën e saj. Caktimi i tij, në vlerësimin e Osmanit, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.

Por, sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, kjo nuk ishte arsyeja se pse Osmani e tërhoqi kërkesën e saj, pasi që konsiderojnë se Kushtetuesja nuk do ta kishte fare objekt trajtimi kërkesën e saj për konflikt kompetencash.

Betejat e humbura të Osmanit me Kushtetuesen nuk përfundojnë me kaq. Një tjetër është ai në 2014.

Atë kohë, Osmani ishte deputete e LDK-së, dhe përfaqësonte bllokun LAN – LDK, AAK dhe NISMA – në Gjykatën Kushtetuese në rastin e zgjedhjes së Isa Mustafës Kryetar të Kuvendit, për të cilin ishte ankuar PDK-ja.

PDK-ja thoshte se zgjedhja e Mustafës në krye të parlamentit më 17 qershor 2014, ishte anti-kushtetuese, pasi që konsideronin se nuk janë respektuar procedurat kushtetuese. Nga ana tjetër, LAN-i pretendonte zgjedhja e Mustaës ishte në përputhje me Kushtetutën dhe se ai duhet të njihet nga Gjykata Kushtetuese.

Këtë qëndrim të LAN-it e kishte përfaqësuar Vjosa Osmani.

“Kërkojmë nga kjo Gjykatë e nderuar që kërkesa e deputetëve të PDK-së është e papranueshme, sepse nuk është në përputhje me kushtetutën dhe e dyta, si alternativë dhe vetëm e vetëm nëse kjo Gjykatë vendos ta shpallë kërkesën të papranueshme, atëherë kërkojmë nga Gjykata të vendos që zgjedhja e kryetarit të kuvendit ishte në përputhje me kushtetutën”, thoshte Osmani më 24 gusht të vitit 2014 në seancën dëgjimore për këtë rast.

Ndryshe nga seç pretendonte Osmani, Gjykata Kushtetuese, në një vendim të publikuar më 22 gusht, kishte konstatuar se zgjedhja e Isa Mustafës në krye të Kuvendit kishte qenë anti-kushtetuese.

Ajo edhe kishte qenë pjesë e kabinetit të ish-Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, si shefe e kabinetit dhe Këshilltare e Lartë për Çështjet Juridike dhe Ndërkombëtare.

Edhe në atë kohë, ajo ka betejë të humbur me Kushtetuesen, pasi që e njëjta kishte vendosur më 24 shtator 2010, se Sejdiu kishte shkelur seriozisht Kushtetutën duke mbajtur edhe postin e Kryetarit të LDK-së dhe atë të Presidentit.