Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që Kuvendi të konstituohet urgjentisht dhe të formohet sa më parë Qeveria e re.
“Çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më parë të jetë e mundur”, tha Osmani për gazetarët pas homazheve te Monumenti i Personave të Zhdukur.
E pyetur për qëndrimin e saj në lidhje me ndarjen që Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, bëri sa i përket votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, pas kërkesës së deputetit Elbert Krasniqi, ajo refuzoi që ta komentojë.
“Nuk po dua me dhënë interpretime kushtetuese këtu në këtë situatë. Ju lus për mirëkuptim, meqenëse sot, siç e patë, së bashku me familje përkujtuam të gjithë ata që mbeten të zhdukur me dhunë”, shtoi ajo.
Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende, gjashtë muaj pas zgjedhjeve. Procesi ka ngecur te çështja e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.









