Çmimi Nobel për paqe do të shpërndahet këtë të premte në Oslo të Norvegjisë për një nga 338 pretendentë, 244 prej të cilëve individë dhe 94 organizata. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë disa komente se ai e meriton çmimin shkaku i përfshirjes së tij në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme ndërkombëtare.
Disa nga fituesit e kaluar përfshijnë, aktivistin iranian të të drejtave të njeriut, Narges Mohammadi, Dalai Lama e Martin Luther King.
Trump, që lavdërohet të ketë ndaluar shtatë luftëra në po aq muaj në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se ai e meriton çmimin prestigjioz, i cili i është dhënë edhe ish-presidentit amerikan, Barack Obama, në vitin 2009.
Lobimi i Trump për këtë çmim ka qenë shumë i hapur, por kontributet e tij për paqe jo edhe aq. Qysh në fillim të mandatit të tij të dytë, Trump ka bërë kërcënime për aneksimin e Grenlandës e marrjen nën kontroll të Kanalit të Panamasë.
Dhjetë kandidatë, ndër ta disa organizata humanitare, figura politike e liderë të shoqërisë civile, po konsiderohen si kryesorët për të fituar çmimin e këtij viti, që do të shpërndahet këtë të premte në Oslo.









