Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në këtë fushatë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka punuar me tri ndërrime, pasi që u pyet se a ka qëndruar deri në orët e vona të natës të shtunën në Mitrovicë.

“Gjatë kësaj fushate kam punuar me tri ndërrime, pra anë e mbanë komunave të Kosovës dhe jam përpjekur që të vëzhgoj përgatitjet për zgjedhje sepse zgjedhjet lokale janë jo më pak të rëndësishme se ato parlamentare, duke qenë se qytetarët e Republikës janë njëkohësisht edhe banorë të komunave dhe  është tejet e rëndësishme për mirëqenien, dinjitetin dhe cilësinë e jetesës në përgjithësi se çfarë kryetarë të komunave do të kenë”, tha Kurti pasi që votoi në qendrën e tij të votimit në Fakultetin Juridik.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. “Të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katër vjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës”.

“Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë përgatitjet, por edhe që të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit”, shtoi.