Pak më pak se tri orë para se të mbyllen qendrat e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, kandidati për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që të dalin dhe të votojnë.
“Kanë mbetur më pak se 3 orë kohë për të votuar. Të gjithë ju, që ende nuk keni votuar, ju lutem ta bëni një gjë të tillë. Për pak minuta vendosim për zhvillim, siguri dhe stabilitet për vendin tonë. E ju që tashmë keni votuar, ftoni miqtë, farefisin e dashamirët të shkojnë për të votuar. Sa më e gjerë vendimmarrja aq më e fortë demokracia dhe Republika jonë”, tha Kurti në një video që e publikoi në Facebook.
“E juve që ju ka zënë puna të jeni në komuna tjera, mund të votoni me kusht në cilëndo komunë ku jeni. Secila komunë e ka një qendër të votimit bash për këtë punë”, shtoi ndër të tjera ai.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani kanë votuar 20.48 për qind e qytetarëve.









