Katër ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë mbledhur në Skenderaj tri ditë para se Gjykata Speciale të shpallë vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Skenderaj, në një odë tradicionale shqiptare, janë takuar ish-Komandati i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ish-Komandati i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ish-Komandanti i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama dhe ish-Komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja.
Trupi Gjykues i Speciales do të shpallë vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, më 16 shtator, në ora 10:00.
Gjatë kësaj të diele, pati një reagim edhe nga Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, në lidhje me vendimin që do merret të mërkurën.
Gucati, duke iu kundërpërgjigjur BE-së, tha se “vendimi i padrejtë nuk sjell paqe, por konflikt”.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.









