Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se në takimin me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, “do të shkojë me vullnet të mirë e me gatishmëri për marrëveshje”. Në një deklarim para mediave në Mitrovicë, Kurti tha se synimi është “të bëhet konstituimi i institucioneve të Legjislaturës së 11-të”.

“Fatkeqësisht dy partitë e tjera nuk konsideruan të nevojshme dhe të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Me AAK-në nuk jemi takuar fare. Besoj që kemi pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së”, tha Kurti.

Takimi, siç bëri të ditur kryeministri në detyrë, do të zhvillohet në formatin 1 plus 1, ku ai do të jetë i shoqëruar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Në orën 18:00, do të fillojë takimi mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku në tentim të arritjes së një marrëveshjeje koalicioni për Qeverinë dhe Presidentin.

PDK dhe AAK nga ana tjetër kanë refuzuar pjesëmarrjen në takim.