Presidentja Vjosa Osmani, që si bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 07 qershorit grumbulloi rreth 18% të votave, është shprehur shumë e hapur për kompromis politik në procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të vendit, në një intervistë dhënë për CNN International.

“Shpresoj shumë që ky mesazh të lexohet në mënyrën e duhur nga të gjitha forcat politike. Sigurisht që lexohet në mënyrën e duhur nga ne dhe çdo përpjekje nga ana jonë do të jetë e përqendruar në gjetjen e kompromisit dhe krijimin e institucioneve sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të mundemi”, ka qenë komenti i Osmanit për rezultatet zgjedhore.

Osmani ka thënë se kompromisi politik do të nevojitet në krijimin e tri institucioneve: Parlamentit, Qeverisë e Presidencës.

“Epo, në këtë pikë, kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për të zgjedhur një president, por edhe për të zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit. Pra, për të tre institucionet, do të na duhet një kompromis i ri”, ka potencuar Osmani.

Osmani ka deklaruar se LDK është e gatshme që të ulet dhe të diskutojë me të gjitha forcat politike në vend, përveç Listës Serbe për të cilët tha se “ka marrë pjesë në akte agresioni dhe shkelje të rendit kushtetues të Kosovës”.

“Është shumë herët të them tani se mund të flas në emër të të tjerëve, por sigurisht që mund të flas në emër tonën dhe të qytetarëve që përfaqësojmë. Jemi gati të ulemi dhe të flasim me partitë politike, partitë politike të shumicës. Natyrisht, nuk duam të flasim me partinë e vetme politike serbe që ka marrë pjesë në akte agresioni dhe shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.”