Dielli ka lindur këtë mëngjes të së mërkurës së 16 shtatorit, ditës që përmbyll procesin tanimë gati gjashtë-vjeçar të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Drita i ka gjetur shqiptarët kudo.
Disa kanë fjetur gjithë natën në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të tjerë janë mbledhur në Hagë – para ndërtesës së Gjykatës Speciale e të tjerë po bëhen gati që me familjet e tyre të ulen para ekraneve për të parë atë që po konsiderohet si verdikt transformues për Kosovën.
Mbi katërshen e madhe rëndon kërkesa makabre e Prokurorisë Speciale, e cila kërkon nga 45 vjet dënim për secilin prej tyre.
Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ, që parashihet të menaxhojë zemërimin qytetar në rast të ndonjë “tymi të zi” nga Specialja.
Misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës kanë këshilluar kombasit e vet në Kosovë që të evitojnë daljet e panevojshme.
Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e kryeqytetit do t’i kushtohet UÇK-së, historisë së saj dhe proceseve historike me të cilat po ballafaqohet.
Dielli i këtij 16 shtatori lindi në një Kosovë kaotike.
Edhe pak orë do të shohim nëse edhe dielli i historisë së Kosovës do të lindë përsëri pas goditjes së çekicit nga Charles Smith, kryesues i Panelit Gjykues, që do të lexojë verdiktin.









