Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë këtë të premte se ai p planifikon të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, së shpejti si dhe ka deklaruar se shumë gjëra mund të vendosen para vitit të ri, gjersa Washingtoni po rritë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Zelensky ka thënë se çështjet e ndjeshme, përfshirë kompromiset territoriale, duhet të diskutohen në nivel krerësh shteti dhe se Kievi po kërkon një takim kokë-më-kokë me Trump.

“Ne kemi rënë dakord për një takim të nivelit më të lartë me presidentin Trump në të ardhmen e afërt. Shumë mund të vendoset para Vitit të Ri”, ka thënë Zelensky në X pas bisedimeve të fundit mes Ukrainës dhe SHBA-së.

Zelensky mbajti takim të enjten me emisarin special të Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrrin e Trump, Jared Kushner.

Ai ka thënë se ca dokumente, pjesë e një kornize më të gjerë për përfundimin e konfliktit dhe për rindërtimin e Ukrainës, janë “gati të përfunduara”, ndërsa të tjerat janë “plotësisht të përgatitura”.