Marta Kos, Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, ka thënë se janë inkurajuese zhvillimet në lidhje me pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Këto komente, Kos i bëri gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, pasi që u pyet nga raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, se çfarë po bën Komisioni Evropian me shtetet e Unionit që nuk e kanë njohur Kosovën, kur ka biseduar për herë të fundit me to dhe si duhet të veprohet në këtë drejtim.
“Sa i përket pesë shteteve mosnjohëse, unë ndjek çfarë po ndodh dhe zhvillimi është inkurajues”, tha shkurt Kos, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Qipro.
Terras, siç raporton REL, e pyeti Kos-in edhe pse nuk e ka vizituar Kosovën që nga koha kur ka marrë mandatin. Ajo theksoi se pavarësisht se nuk ka qenë në Kosovë, është në kontakt me autoritetet në Prishtinë.
Për shkak të situatës politike, Kos deklaroi se është detyruar që ta shtyjë vizitën në Kosovë. Por, megjithatë paralajmëroi se së shpejti do të udhëtojë për në Prishtinë për reformat që lidhin Planin e Rritjes.
“Kemi hequr masat dhe presim që Qeveria të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e BE-së. Së shpejti do të qëndrojë në Prishtinë për ta çuar përpara këtë çështje”, shtoi Kos.









