Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur në lidhje me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuar në emisionin televiziv “Debat Plus”, Krasniqi ka shprehur pritshmërinë e tij pozitive lidhur me këtë gjykim, duke theksuar se tash trupit gjykues atje do t’i duhet të vendos se kujt grup të dëshmitarëve të ja jap besimin.
Ai ka thënë se kjo zgjedhje do të largojë pikëpyetjen e publikut në Kosovë nëse procesi është i drejtë apo jo.
“Nëse trupi gjykues vendos ta zëmë me iu besuar më shumë dëshmitarëve të fshehtë, të instruktuar prej Serbisë, edhe shërbimeve të sigurisë së Serbisë, edhe operativëve të Serbisë që kanë qenë të shumtë, por edhe të tjerëve që për arsye që nuk mund t’i paragjykoj, kanë vendosur me dëshmu se dikush ia ka vjedh një lopë dhe ka faj UÇK-ja… edhe ka pas magji të zezë… me iu besuar këtyre e mos me iu besuar këtyre të tjerëve që, në njëfarë forme siç thotë populli, e kanë sunduar botën në atë kohë, mos me i besuar Wesley Clarck, James Rubin, Bernard Kouchner. Atëherë, të paktën e dimë përnjëmend a ka drejtësi apo s’ka drejtësi, sepse kjo është pikëpyetja kryesore e këtij procesi”, ka thënë ai.