Bedri Hamza, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, ka votuar bashkë me bashkëshorten e tij në qendrën e tij të votimit në Mitrovicë.

Hamza ftoi qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa u shpreh optimist si për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ashtu edhe për rezultatin e proceset institucionale që vijnë pas kësaj dite.

“Pres rezultat pozitiv. Unë do ta bëj maksimumin që Kosova të ketë sa më shpejt institucione, mos të ketë vakum institucional dhe vendi të ecë përpara”, tha Bedri Hamza kur u pyet nëse zgjedhjet do të zhbllokojnë krizën institucionale që mbizotëroi vendin që nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti.

Hamza po ashtu tha se, përkundër dyshimeve që ai dhe partia e tij patën në procesin e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë, po ruan optimizmin për proces të rregullt zgjedhor e se nuk ka pasur informacione për ndonjë problem, duke uruar që kështu të shkojë deri në fund.

“Deri tash nuk kam ndonjë informacion që ka ndonjë problem dhe uroj të mos ketë. Nuk është mirë me ndodhë, mund të jetë shqetësuese, po nuk po du me paragjyku, po du me qenë pozitiv edhe me qenë një ditë e mirë edhe mu përmbyll gjithçka mirë”, potencoi i pari i Partisë Demokratike të Kosovës.