Kandidati i VLEN-it për Kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, i cili aktualisht mban pozitën e zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, ka thënë se kur të dalin rezultatet për komunën e Çairit, kundërshtarët e tij do t’i ndërrojnë qëndrimet sa i përket zgjedhjeve qendrore, duke u shprehur i bindur se do ta fitojë garën kundër Bujar Osmanit të Aleancës Kombëtare për Integrim.

Këto komente, Mexhiti i bëri pasi që u pyet nga gazetarët se nëse i humb zgjedhjet në Çair, kundërshtarët e tij politik do të kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Kur t’i shohin rezultatet janë të njohur që i ndërrojnë qëndrimet dhe me ua përmend zgjedhjet e parakohshme do të ikin të parët”, tha Mexhiti, pasi që votoi në Çair.

Ai uroi mbarëvajtje të procesit zgjedhor, në mënyrë që në fund të mbyllet si festë.

“Uroj që ashtu siç ka ec fushata, pra është ndër fushatat më të qeta, më demokratike, ku së paku jemi mundu nga ana jonë të jetë betejë e ideve, programeve, platformave që në fund të jetë fitues qytetari. Dhe domosdo sovrani e ka fjalën e fundit”, deklaroi ai.

Më herët ka votuar edhe kundërkandidati i tij nga radhët e AKI-së, Bujar Osmani. Ai ka thënë se rezultati në Çair është determinues për orientimin e Maqedonisë së Veriut.

“Me çdo votë këtu në Çair do të përcaktohet edhe kursi evropian i shtetit edhe çështja e marrëveshjes së Ohrit dhe raporteve ndër etnike, por edhe e ardhmja e Çairit. Dua t’i falënderoj qytetarët e Çairit që e kanë marrë mbi shpatullat e tyre këtë përgjegjësi dhe sot do të japin mesazhin e duhur”, tha Osmani për gazetarët, pasi votoi në Çair.

“Sidoqoftë kjo ditë do shkruhet në histori si dita që do e përcaktojë të ardhmen e dekadave që vijnë”.

Ai ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje.