Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në takimin e ardhshëm me Kryeministrin Albin Kurti, pret që të mbyllet çështja e ndryshimit të Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Ende s’është tejkalu si temë kjo. Ende nuk është përfundu. Ju e keni pa mbrëmë që në Qeveri janë aprovu disa dokumente, po unë pres që në takimin e radhës kjo çështje të mbyllet”, tha Hamza për Klan Kosova, pasi që u pyet nëse kanë marrë premtim nga Kurti që do t’ia sigurojë votat e VV-së për ndryshimet ligjore për ligjin për Specialen.

Hamza theksoi se pas votimit të ligjit në të dyja leximet, mund të hyjnë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit

“E dini kërkesën tonë. Për neve është prioritet ligji, dhe ne presim që fillimisht ta kemi zotimin. Të aprovohet ligji në të gjitha leximet dhe pastaj të hyjmë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit nëse veç dakordohemi”, shtoi ai.

Kreu i PDK-së theksoi se për shkak të dinamikave dhe kohës së shkurtër, mund të takohet me Kurtin në çdo kohë, edhe këtë të shtune.

“Është e mundshme që ne në çdo kohë të takohemi. Dinamikat janë aq të shpejta, koha është aq e shkurtër që mund të takohemi në çdo ditë, edhe sot, edhe ditëve në vijim”, potencoi ai.

Në mbledhjen elektronike në orët e vona të së premtes, Qeveria miratoi vendimin për dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend për votim, i cili u iniciua nga PDK pas dënimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.