artia Demokratike e Kosovës dhe deputetët e saj kanë shkuar sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Megjithatë, sipas deputetit të PDK-së, Arian Tahiri, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e ka thirrur vazhdimin e saj.
Tahiri ka folur nga foltorja e Kuvendit, ndonëse seanca nuk ishte thirrur për të vazhduar procesin e konstituimit.
Në emër të deputetëve të PDK-së, Tahiri ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar atë si “organizatë banditeske të veshur me petkun e pushtetit”.
“Dyert e Kuvendit të Kosovës po mbyllen dhe Kuvendi po bllokohet. Ju gazetarë dhe media e kishit sfidë që të ishit bashkërisht me neve, me qëllimin e vetëm që të informoni qytetarët e Kosovës se çfarë është duke ndodhur me Kushtetutën, me rendin kushtetues dhe me qasjen dhe tendencën e organizatës banditeske të veshur me petkun e pushtetit, e cila përmes pushtetit po tenton që me e fut shoqërinë tonë në anarki”, tha Tahiri.
Ai tha se deputetët e PDK-së i janë drejtuar kryesuesit Avni Dehari me kërkesë për vazhdimin e seancës.
“Përkundër kërkesës tonë, nuk është thirrur vazhdimi i seancës”, deklaroi Tahiri.
PDK-ja ka insistuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë, ndërsa situata aktuale politike ka thelluar edhe më tej ngërçin institucional.









