Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar sërish për bllokadën e re në Kuvend, me mosthirrjen e seancës për konstituim. Dhe sërish, reagimi ka qenë vetëm në rrjete sociale, ndonëse me njëfarë fjalie të ashpër në fund.

Sipas PDK-së, mosthirrja e seancës dhe kalimi i afatit është sulm ndaj Republikës.

“Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës. PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet!”, deklaron kjo parti në deklaratën e saj.

PDK-ja ka renditur tri argumente se pse tashmë është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe Rregullorja e Kuvendit për afatin 30-ditor të konstituimit të Kuvendit.

“Për ta sqaruar thjesht për qytetarët se çfarë po ndodh me Kuvendin:

Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet.

Rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë”, ka shkruar PDK-ja në reagimin e saj.