Maria Corina Machado, udhëheqësja e opozitës në Venezuelë dhe nobelistja e paqes për vitin 2025, ka thënë në intervistën e saj të parë televizive pas arrestimit të Nicolas Maduro, presidentit të Venezuelës, se nuk ka folur me presidentin amerikan, Donald Trump, që nga tetori i 2025-së.
“Fola me presidentin Trump më 10 tetor, ditën e njëjtë kur u njoftua çmimi (Nobel për Paqe), por nuk kam folur më që atëherë”, ka thënë Machado në Fox News.
Machado, e parë gjerësisht si opozitarja më kredibile e Maduro-s, u largua nga Venezuela muajin e kaluar për të udhëtuar drejt Norvegjisë për të pranuar çmimin dhe nuk është kthyer që atëherë.
“Po planifikoj të shkoj në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo kur u pyet për planet e saj për rikthim në Venezuelë.
Presidenti amerikan ka hedhur poshtë idenë për të punuar me Machado-n, duke thënë se ajo nuk ka mbështetje e as respekt brenda shtetit.
Mediat amerikane raportuan të hënën se vlerësime të klasifikuara të agjencisë së inteligjencës CIA, që i janë prezantuar Trump, kanë nxjerrë përfundimin se besnikë të Maduro-s, përfshirë presidenten e përkohshme Delcy Rodriguez, janë në pozicionin më të mirë për të mbajtur stabilitetin.
Përkundër kësaj, Machado mirëpriti veprimet amerikane si “një hap të madh për njerëzimin, lirinë dhe dinjitetin njerëzor”.









