POPULLI I BRAKTISUR Si po e gërryen Albin Kurti Demokracinë në Kosovë me ndihmën e opozitës

Opozita në Kosovë sot janë afër 400 mijë veta që votuan kundër Albin Kurtit, përkundër se krejtësisht të pambrojtur e të pa përfaqësuar nga Opozita Politike.

Tashmë janë numëruar pothuajse të gjitha votat dhe është e vërtetë zyrtare. Vetëvendosja ka arritur rezultat historik.

Përkundër ngritjes së aktakuzave për ministra, përkundër fillimit të hetimeve për ministra të tjerë, përkundër vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Evropian, përkundër pezullimit të dialogut strategjik me SHBA-të, përkundër konfirmimit të abuzimit të institucioneve të shtetit për punësime partiake, përkundër zvogëlimit të rritjes ekonomike në veç 3.8 për qind sipas Bankës Botërore, përkundër cenimit të institucioneve demokratike dhe sfidimit të të njëjtave, përkundër inflacionit të madh, përkundër rritjes enorme të çmimeve, përkundër trefishimit të çmimit të energjisë elektrike, përkundër krijimit të kompanive fantomë që shndërrohen në organizata multimilionëshe brenda vitit, përkundër lëshimeve si njohja e pasaportave ilegale të serbëve të Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe përkundër pranimit të një marrëveshje që rrezikon seriozisht integritetin territorial e subjektivitetin e shtetit, Vetëvendosja u rrit.

Po, fitores së tillë të Vetëvendosjes i ndihmoi ingjineringu i votës së diasporës, fushata më e sofistikuar e vetë Kurtit kësaj radhe, potencialiteti i manipulimit me vota, praktikisht blerja e votave me lëshim të parave për shtresat e varfër dy tre ditë parazgjedhjeve, mirëmbajtja dhe investimi edhe më i madh në ushtrinë online për të diktuar viralitetin e ndodhive që iu konvenojnë dhe pashitur skandalet që i dëmtojnë, por të gjitha këto janë nuanca të vogla të kësaj fitore të lartë.

Pa asnjë diskutim fajtori kryesor pse Kosova po rrëshqet nga demokracia elektorale, sepse demokraci liberale s’ka qenë kurrë, në autokraci elektorale, është abstenimi i partive opozitare për ta luajtur rolin e vet: pra refuzimi për të bërë betejë të vazhdueshme parlamentare e jashtëparlamentare kundrejt abuzimit, korrupsionit e sjelljeve autokratike të Albin Kurtit.

Kosova mund të jetë ndër vendet e pakta në botë, po flas për ato vende ku ka proces elektoral deri diku demokratik, që praktikisht nuk ka opozitë politike kundrejt pushtetit.

Me Albin Kurtin ka erozion demokratik, luftim të egër të institucioneve të pavarura siç janë gjykatat, tendencë për të shtuar fuqi ekzekutive për vete, organizim për të likuiduar diskursin kundërshtues, përdorim të mekanizmave shtetërorë për përndjekje politike dhe në prag të derës është jetësimi i një projeksioni autokratik, ama është tejet e vështirë të shpërfaqet në tërësinë e vetë kjo pamje, për shkak se opozita partiake në Kosovë reprezenton një qetësi të asi lloji sa me të drejtë shumë veta mund të thonë ti veç je ka e tepron.

Kjo lloj qetësie, ky lloj komoditeti, kjo lloj mungese e vullnetit për të iniciuar rezistencë institucionale e jashtë institucionale, kur para syve të jetësohet projekti autokratik i Albin Kurtit, jo veç që dëmton duke mos e luajtur rolin e vet, por e zvogëlon tejmase edhe kapacitetin e të tjerëve për rezistencë.

Liderët opozitarë dhe partitë opozitare që do të duhej të ishin linja e parë e mbrojtjes dhe mirëmbajtësit e hapësirë së rezistencës në Kosovë, po ju them si në asnjë vend tjetër, janë linja e parë e mbrojtjes për vetë Albin Kurtin. Sepse, me mos reagim, me mos prezencë, me uzurpim të hapësirë opozitare pa bërë opozitë, ata po e pamundësojnë pamjen e plotë e të vërtetë të asaj që po ndodhë.

Në demokraci të mirëkonsolidume, kur shfaqen tendenca autokratike nga ndonjë lider i caktuar, ato materializohen shumë më vështirë, për shkak të fuqisë së vetë institucioneve dhe besimit të madh që ekziston në to. Gjykatat në përgjithësi e Gjykatat Kushtetuese në veçanti, shpesh jo veç që pamundësojnë por edhe kthejnë prapa autokratë në tentativë.

Por, shtete si Kosova, ku institucionet nuk e gëzojnë as atë fuqi e as atë respekt, sepse edhe janë të reja edhe akoma të pa ngulitura në trurin politik të qytetarëve, shpesh janë të pamjaftueshme t’ia dalin si të vetme, prandaj, roli i partive opozitare, bashkimi i tyre, aktiviteti, ndërtimi i strategjive të përbashkëta, është fatpërcaktues për të stopuar lider si Albin Kurti.

E para, partitë opozitare refuzojnë çfarëdo bashkëpunimi me autoritar si Kurti. E dyta, pa të cilën e para s’ka kurrfarë vlere, bashkohen në front opozitar. E treta, ndërtojnë retorikë e cila mbështet në fuqinë e argumentit më të mirë. E katërta, tregojnë kohezion të palëkundur kundrejt autokratit. E pesta, bëhen mbulesa e secilit zë opozitar nga jeta jashtë partiake. E gjashta, skandalet e publikuara nga gazetarët u japin zë, i pajisin me argument politik dhe kujdesen që të mirëmbahen si tema në sferën publik, me kërkesat e vazhdueshme dhe të pandalshme për llogaridhënie. Në Kosovë, edhe një herë, si askund tjetër, jo që nuk ndodhë kështu, po ndodhë e kundërta.

Ja për shembull, kur kemi publikuar ne në VOX abuzimin e skajshëm të Valon Prebrezës, kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar komune në Fushë Kosovë, i cili përmes një sistemi të horrorit punësonte njerëz në këmbim të votës, në vend se ballafaqimi në rrafshin politik të bëhej tash nga kundërkandidatët e tij në garë, ata as që ia përmendin fare atij këtë skandal dhe mbetem unë të bëjë edhe betejën politike me të, çka s’është roli im në rend të parë.

Njëjtë, kur publikojmë skandale të njëpasnjëshme të Faton Pecit, të super dëshmuara deri në atë masë sa fillojnë hetimet për të, askush, ama askush nga opozita nuk e bën çështje e aq më tepër ta ballafaqojë Pecin me ato vepra të tij kriminale dhe mbes unë duke bërë betejën politike me të.

Njëjtë me Liburn Aliun dhe njëjtë me secilin tjetër.

Ne publikojmë, Vetëvendosja me ushtrinë online e offline vërsulet, dhe më pas gjithçka përkthehet në një luftë krejtësisht të pabarabartë mes një mediumi fare të vogël kundrejt krejt aparatit partiako-shtetëror të Vetëvendosjes.

Derisa opozita politike, si spektatorë të privilegjuar, rri e soditë se kush po fiton.

Mund t’iu vije si befasi, por gjatë qeverisjes 4 vjeçare të Albin Kurtit, pothuajse secili sektor ka protestuar, nga minatorët, të mësimdhënësit, te policët, zjarrëfikësit, infermierët, doktorrët, blegtorët, punëtorët e KEK-ut, veteranët, dhe secili sektor tjetër, e po ashtu ka pasur edhe protesta nga grupe të qytetarëve për çështje, siç ishin protestat kundër çmimit të energjisë elektrike.

A e dini që asnjë parti opozitare, asnjëherë, nuk e ka përkrahur asnjë protestë.

Pse?

Të gjitha këto protesta janë forma të rezistencës, të cilat janë venitur ngadalë, sepse opozita politike ka refuzuar të marrë rolin që i takon në mbështetje të protestuesve.

Pra, jo që nuk kemi mobilizim nga brenda për të bindur sektorë të ndryshëm të protestojnë, por as mbështetje të atyre që tashmë janë bindur për protestë.

Madje, shpesh është nuhatur njëfarë irritimi i opozitës politike me këta aktorë që krijojnë rezistencë.

Pra, derisa normalisht opozita do të duhej të shndërrohej në strumbullarin e grumbullimit të pakënaqësisë dhe katalizatorin e shpërthimit të kësaj pakënaqësie, në Kosovë pikërisht opozita ka shërbyer si amortizuese e pakënaqësive dhe demobiluzese e masave potenciale për protestë.

Kjo me gjasë ka ndodhur dhe ndodhë për dy arsye kryesore. E para, ata vetë nuk marrin iniciativë dhe iniciativa e dikujt tjetër i shpërfaqë, e nëse veç ndodhin protesta më masive, do të kërkonte të paktën pjesëmarrjen fizike të tyre, çka ata me gjasë nuk e duan. E dyta, Albin Kurti në thelb nuk i ka ngacmuar ata e as asetet e tyre materiale. Pra, ata nuk shohin arsye personale për rezistencë, e me ata që kanë arsye për të protestuar nuk bashkëndjejnë, sepse në esencë nuk e njohin atë qytetar, sepse nuk e bëjnë jetën e tij.

A e keni vërejtur për shembull edhe se si as Vetëvendosja nuk është se drejton më shigjeta nga ta. Kjo, sepse më nuk i konsideron si lojtarë konkurrentë, meqë ata kanë zgjedhur të vetëpërjashtohen. Edhe kur bëjnë ndonjë veprim domethënës në kuptim të rezistencës, më shumë duket si diçka e rastësishme, sepse s’kanë fare ligjërim për ta mbështjellur me kuptim atë veprim.

Dhe me pas strukën në një arsyetime banal kinse qenka strategjike heshtja e tyre, kur në fakt është veç mungesë e strategjisë, sepse dikush që as nuk po e përjeton vetën si pjesëmarrës në ballafaqim, e ka të pamundur të prodhojë ide për betejë.

Nuk po them se askush brenda opozitës nuk bën asgjë. Por, përpjekjet individuale të deputetëve të ndryshëm janë ishuj të pothuajse të pavërejtshëm e të paefektshëm brenda “strategjisë” për heshtje kolektive të opozitës.

Përkundër gjithë kësaj, nga mbi 900 mijë veta që kanë votuar në zgjedhje janë afër 400 mijë që prapë kanë votuar kundër Albin Kurtit. Afër 400 mijë shpirtra të lirë, të cilët më shumë sesa ndonjë farë ndjenje të përfaqësimit nga partitë opozitare, votojnë kundër Kurtit, sepse kanë impuls të mjaftueshëm demokratik e politik për ta parë saktësisht çfarë po vije me këtë shkatërrues. Ky numër i madh që voton kundër Kurtit, përkundër se i mungon krejtësisht përfaqësimi, mbrojtja, motivimi dhe kanalizimi i pakënaqësisë nga ndonjë parti opozitare, mbetet shpresa e vetme e demokracisë në Kosovë.

Pra, këta votues janë prova se vetëdija demokratike akoma ekziston, veçse duke qenë pa organizim dhe pambrojtje, ata edhe mund të lodhen dikur. Prandaj demokracia nuk rrënohet veç nga idetë e pista të Albin Kurtit, por edhe nga heshtja e të tjerëve dhe sot s’ka heshtje më të kushtueshme se ajo e opozitës.

LAJME

KAPJA E EGËR E SHTETIT Në VV janë bindë se sa më shumë krim aq më shumë vota

RINUMËRIMI Gati 15 mijë vota diferencë nga numërimi fillestar

ZGJEDHJET LOKALE Peci emëron Drejtore në Komunë motrën e Prokurorit që hetoi keqpërdorimin e votave në Mitrovicë

FAKT YOU

MASHTRIMI I MADH Gënjeshtra e Albin Kurtit për Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë

MJESHTËRIA E HUMBJES Si po ia mundëson Lumir Abdixhiku fitoret mbi 50% Albin Kurtit

Ekskluzive EKSKLUZIVE

QOSHEVE ME FASHIZMIN Edhe Xhelal Sveçla takohej me ministrin e Vuçiçit dhe ekstremisten serbe në Zvicër

DHOMA SPECIALE

PA LIRI Veselit, Selimit e Krasniqit u vazhdohet paraburgimi pak ditë para fjalëve përfundimtare

KARMA SPECIALE Jack Smith e Nicolas Guillou – nga përndjekës të UÇK-së në të hetuar e sanksionuar nga SHBA-të

GODITJE SMITHIT “U mësua në Hagë…” – Washington Post editorial për qëndrimet e pakëndshme të Jack Smith-it për “fjalën e lirë”

INTERVISTA

NDËRHYRJA E MUJKËS Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve: S’je ka sqaron sen, veç po thua s’e di edhe s’më kujtohet

“A shkelet ligji për Faruk Mujkën?” Lirim Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve, Ismail Dibranin

Ekskluzive Si u bë shef militanti i Vetëvendosjes/ përfshirja e Albulena Haxhiut, flet në detaje Drejtori i Burgjeve, Ismail Dibrani