Sulmet e VV-së mbi rendin kushtetues vazhdojnë. Mbledhja e djeshme e Këshillit të Përgjithshëm në këtë parti shënoi vetëm episodin e radhës ku Kurti një pjesë të madhe të fjalimit të tij e veçoi për të shënjestruar Gjykatën Kushtetuese. Që nga shpallja e pavarësisë, Vetëvendosje haptazi ka refuzuar ta pranojë dhe respektojë Kushtetutën.
Deri diku rreth vitit 2016, Vetëvendosje kushtetutën e interpretonte me diskurs nacionalist, që kryesisht e portretizonte si projekt neo-kolonial, e ekstraktuar nga Pakoja e Ahtisarit, që padrejtësisht rëndon mbi supet e Kosovës shqiptare.
Për këtë arsye, Vetëvendosja zotohej se do ta ndryshonte atë dhe do të krijonte Republikën e Tretë, ku Kosova do ta kishte një kushtetutë të sajën, të tillë që reflekton natyrën shqiptare të saj.
Megjithatë, për hesape politike, për ta kamufluar raportin e tij armiqësor me të, ai e ridizajnoi strategjinë e sulmit ndaj kushtetutës.
Që disa vite, sidomos prej vitit 2019, sulmin ndaj kushtetutës e artikulon përmes targetimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë qasje, sado që është problematike, kushtetuta nuk është problem aq sa është Gjykata Kushtetuese, e cila sipas tyre, e interpreton kushtetutën për hesape të LDK-së, AAK-së dhe sidomos PDK-së.
Kjo logjikë doli në pah edhe dje.
Albin Kurti tha se Gjykata Kushtetuese është pengesa kryesore e realizimit të vullnetit të popullit të Kosovës, për shkak se ajo po shkakton vonesa e zvarritje për ta penguar formimin e qeverisë Kurti 3. Në një sulm të paskrupullt, Kurti tha se “5 nga 7 gjyqtarët e Kushtetuesës janë zgjedhur në vitin e largët 2018 nga PAN-i dhe Lista Serbe”.
Tutje ai vazhdoi, duke thënë se “Që atëherë, ne nemi fituar shumë palë zgjedhje, janë formuar shumë qeveri, janë ndërruar shumë përbërje parlamentare, kurse gjyqtarët ende janë aty.” Me këtë ai e bëri të qartë edhe ambicien e tij për të vendosur aty gjykatësit e vet, të sojit të Vigan Qorollit.
Ky ishte njëherësh edhe premtimi i tij më i rrezikshëm gjatë ditës së djeshme.
Sipas Takis Pappas, studiues i populizmit, pasi të vijnë në pushtet, populistët punojnë që të krijojnë një rend iliberal. Populizmi zakonisht shfaq katër karakteristika të ndërlidhura – dhe që përforcojnë njëra-tjetrën: 1) Lidershipin e skajshëm karizmatik; 2) Polarizimin e skajshëm politik; 3) Përpjekjen për të marrë kontrollin e shtetit, për të dobësuar institucionet liberale dhe për të imponuar një kushtetutë joliberale; dhe 4) përdorimin sistematik të patronazhit për të shpërblyer mbështetësit dhe për të përjashtuar opozitën.
Ky përshkrim i Pappas është një këmishë që i bie tamam VV-së dhe natyrës së saj populiste. Për mungesë hapësire, do të ndalemi shkurt vetëm tek pjesa e fundit e pikës 3: “për të imponuar një kushtetutë joliberale”.
Në Kosovë rishkrimi i Kushtetutës është i pamundur për shkak që nevojitet shumica e dyfishtë, 2\3 e votave të deputetëve shqiptarë dhe 2\3 e votave të deputetëve të komuniteteve jo-shqiptare.
Meqenëse kjo mundësi nuk ekziston në praktikë, VV-ja është munduar ta rishkruajë kushtetutën përmes kalimit të ligjeve që cenojnë themelet e rendit kushtetues në Kosovë.
Strategjia e tyre ka qenë kjo: që të kalohen ligjet, e pastaj përmes presionit publik të intimidojë partitë politike që të pranojnë, ose së paku të mos i pengojnë ato që të mos i dërgojnë në kushtetuese.
Pastaj, me të arritur tek gjykata kushtetuese, prapë do të bënin presion publik mbi gjyqtarët që të jepnin dritën e gjelbër për të krijuar praktikisht një kushtetutë të re jodemokratike.
Sipas Robert Muharremit, ky është një instrumentalizim autokratik i ligjit, i dizajnuar për të minuar rendin kushtetues liberal, i cili minon demokracinë, nën maskën e reformave progresive. Ligjet veç e veç janë më të vështira për t’u identifikuar si të rrezikshme, por efekti i tyre kumulativ është të minojnë liritë politike, gjymtojnë opozitën, mekanizmat e llogaridhënies dhe të zhbëjnë çfarëdo ndarje pushtetesh, të cilat të gjithat futen nën tutelën e Qeverisë, në majën e të cilës qëndron i vetëm autokrati.
Nga hulumtimet tona, del se plot 12 herë Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi ligjet dhe vendimet Qeverisë Kurti 1 dhe Kurti 2.
Kurti numëroi, me elegji, një pas një të gjitha ligjet dhe vendimet jodemokratike që iu rrëzuan nga Kushtetuesja.
Prandaj ai haptazi shfaqi ambicien e tij për ta kapur këtë institucion kyç, si një nga fazat për ta jetësuar planin e tij të kahmotshëm për Republikën e Tretë, e cila në praktikë nuk do të ishte një Republikë Parlamentare, por Qeveritare, në të cilën nuk ka ndarje pushtetesh sepse Pushteti Gjyqësor e Pushteti Legjislativ do të ishin vetëm bisht i qeverisë, ku administrata kolonizohet nga militantët, ku opozita ekziston vetëm formalisht, ku mediat raportojnë ashtu siç raporton tash RTK-ja e ku oligarkët i koopton një nga një.
Është e qartë që tashmë ky nuk është vetëm vizion apo plan, por një proces në lëvizje tash e 5 vite dhe krijimi i një qeverie të udhëhequr nga VV-ja do të shënonte një fazë të re në spiralen e rrënimit të Republikës demokratike, liberale e parlamentare dhe imponimit të një entiteti frankenshtajn jodemokratik.









