Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ndërroi fshehurazi avionin teksa u largua nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, si pjesë e një mashtrimi të sofistikuar të ndërmarrë në përgjigje të një kërcënimi të mundshëm nga Irani, raportojnë mediat amerikane.
Presidenti amerikan hipi në Air Force One nën vëzhgimin e mediave, përpara se të transportohej në një avion ushtarak me ndihmën e një kamioni që përdoret për furnizim ushqimor, raportoi Washington Post. Gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në bord nuk e dinin se ai ishte nxjerrë fshehurazi nga avioni.
Zyrtarë amerikanë i thanë CBS News, se SHBA-ja kishte zbuluar një kërcënim të besueshëm iranian për të lëshuar një raketë drejt avionit që do të udhëtonte Trump. Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar ndërrimin e fshehtë të avionit.
Trump kishte thënë më herët se ishte “objektivi numër një” i Iranit gjatë Samitit të NATO-s në Ankara.
Manovra e fshehtë ndodhi një ditë pasi SHBA-ja rinisi sulmet ushtarake ndaj Iranit, pas dështimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës.
Trump kishte mbërritur në Turqi me një Boeing 747-8 të ri, të dhuruar nga Katari, por kishte njoftuar se do të largohej me Air Force One-in e vjetër, “për hir të kohëve të vjetra”.
Më 8 korrik, pamjet filmike e shfaqën Trump-in duke hipur në avionin presidencial në aeroportin e Ankarasë. Por, sipas Washington Post, ai më pas u transportua fshehurazi në një avion më të vogël ushtarak C-32A – një Boeing 757 i modifikuar, i përdorur shpesh nga nënpresidenti – përmes një kamioni, i cili ishte ngritur në lartësinë e avionit në anën e kundërt të vendit ku ai kishte hipur.
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hipi veçmas në C-32A duke përdorur shkallë të jashtme, në përpjekje për ta bërë fluturimin të dukej normal, sipas prestigjiozes amerikane.
Gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë hipën në Air Force One dhe, sipas raportimeve, iu kërkua të mbyllnin perdet e dritareve. Ata nuk e dinin se presidenti nuk ndodhej më në bord.
Trump më pas fluturoi drejt Mbretërisë së Bashkuar, në rrugën e tij për në SHBA, ku hipi sërish në Air Force One-in e vjetër dhe u pa duke zbritur nga avioni pasi ai u ul në bazën ajrore RAF Mildenhall. Nuk është e qartë se si ai u transferua nga C-32A në avionin e vjetër presidencial.
Presidenti amerikan më pas kaloi në Air Force One-in e ri, të dhuruar nga Katari, për të udhëtuar drejt Uashingtonit.
Gjatë atij fluturimi, Trump foli me gazetarët në bord, ku përmendi kërcënimet që paraqet Irani, por nuk e përmendi ndërrimin e mëparshëm të avionit.
I pyetur se përse gazetarëve u ishte kërkuar të mbyllnin perdet e dritareve në avionin nga Turqia, Trump tha: “Sepse, ndoshta ndodheni në një fluturim të rrezikshëm për shkak të maskarenjve me të cilët duhet të përballemi”.
Ai tha se kishte “gjithmonë një kërcënim” ndaj jetës së tij dhe se ishte “numri një” në “listën” e Iranit.
Drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, nuk e konfirmoi dhe as e mohoi drejtpërdrejt raportimin, por tha se Air Force One-i i ri ishte një “avion i teknologjisë më të fundit”, i pajisur me masa sigurie për të mbrojtur Presidentin dhe stafin e tij.
Inteligjenca amerikane kishte paralajmëruar më herët për një kërcënim specifik ndaj Trump-it ose avionit të tij, sipas raportimeve të mëparshme të CBS News.
New York Times kishte raportuar më herët për shqetësimet e sigurisë lidhur me avionin e dhuruar nga Katari, përfshirë faktin se Shërbimi Sekret i kishte kërkuar Trump-it të ndërronte avionin gjatë kthimit nga samiti i NATO-s.
Disa nga gazetarët e kësaj gazete u thirrën për të dëshmuar nën betim në lidhje me këtë çështje. Më pas, Departamenti i Drejtësisë i tha BBC-së se po hetonte rrjedhjet e paligjshme të informacionit.
SHBA-ja ka shpenzuar muaj të tërë duke modernizuar Boeing 747-8, me vlerë 400 milionë dollarë, për ta përgatitur atë për Presidentin. Burime i kanë thënë CBS News se avionët e vjetër Air Force One janë të pajisur me teknologji lazer që mund të verbojnë raketat në ardhje. Nuk dihet se çfarë sistemesh mbrojtëse ka avioni i dhuruar nga Katari.
“Air Force One-i i ri është plotësisht i sigurt për udhëtimet e presidentit, por do të marrë përmirësime dhe pajisje shtesë në vjeshtë, të cilat do të kërkojnë rreth një muaj për t’u përfunduar”, tha zëdhënësja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë për CBS News.









