Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dhe Vjosa Osmani, presidente e vendit, kanë mbështetur operacionin e SHBA-së në Venezuelë.
Kurti ka thënë se mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikim droge është thelbësorë për sukses në luftën ndaj kësaj dukurie.
“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Kurti po ashtu ka thënë se Kosova i ofron SHBA-së dhe NATO-s mbështetje të plotë në luftën kundër narko-trafikut e cenimit të demokracisë në rajon dhe më gjerë.
“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, ka thënë tutje Kurti.
Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetje të fuqishme për veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, duke theksuar se “Kosova qëndron fuqishëm me Shtetet e Bashkuara dhe Presidentin Donald Trump” kundër regjimit narko-terrorist të Nicolas Maduros.
Ajo ka vlerësuar lidershipin amerikan, duke thënë se Presidenti Trump “qëndroi në krah të popullit të Venezuelës dhe u përball me shtetin narko-terrorist të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar”.
Osmani ka theksuar se “populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të sunduar nga ligji, jo nga frika”, duke paralajmëruar se narko-terrorizmi dhe sundimi autoritar përbëjnë kërcënim për paqen përtej kufijve kombëtarë.









