Prokuroria Speciale ka njoftuar se në kuadër të një hetimi për veprimtari të dyshuar kriminale përmes qendrave të thirrjeve dhe platformave të rreme të investimeve ka zhvilluar një operacion në pesë lokacione: në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Ferizajt.

Prokuroria njoftoi se gjatë aksionit janë arrestuar tre persona.

“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Siç njoftohet, operacioni i zhvilluar në Kosovë, është pjesë e një operacioni ndërkombëtar, në kuadër të të cilit janë zhvilluar urdhër kontrolle edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.