Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Fushë Kosovë, pas një rasti të kanosjes me armë, ku i dyshuari kryesor, një shtetas kosovar i nacionalitetit serb, kishte refuzuar t’u bindej urdhrave të policisë dhe ishte mbyllur në banesën e tij.
Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, rasti ka aktivizuar një numër të madh të njësive policore, përfshirë njësitë speciale intervenuese dhe operative, njësitë e reagimit të shpejtë, ato të rendit publik dhe njësinë K9.
Policia ka bërë të ditur se, pas identifikimit të të dyshuarit, janë zhvilluar negociata dhe komunikime të vazhdueshme me të, me qëllim të dorëzimit të tij në mënyrë të sigurt dhe pa pasoja.
Megjithatë, i dyshuari ka refuzuar t’u bindet urdhrave zyrtarë, duke bërë që njësitë policore, pas një periudhe të gjatë vëzhgimi dhe përpjekjesh për ta bindur, të hapnin me forcë derën e banesës dhe të hynin brenda.
Gjatë operacionit, policia ka arrestuar të dyshuarin për kanosje, si dhe një person tjetër, i cili ndodhej brenda banesës dhe dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancës, ndërsa ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke vazhduar nga njësitë përkatëse policore.
.









