Ramush Haradinaj e ka konsideruar si të vonshëm dhe të vogël rritjen e pagës minimale, pensioneve, shtesave për fëmijë dhe mbështetjes për nënat lehona nga Qeveria në detyrë. Haradinaj ka bërë një ofertë tjetër për këto çështje në rast se bëhet Kryeministër.
Përmes një postimi në Facebook, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se këto veprime të Albin Kurtit dhe qeverisë së tij në detyrë janë bërë “shumë vonë, shumë pak, marre”.
Ai ka konsideruar se kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh. “Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro”, theksoi ai.
Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç, Haradinaj premtoi se do të kenë rritje të konsiderueshme. “Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”.









