Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi të hënën atë që departamenti i tij e quajti “një ofensivë ekonomike” kundër Iranit, duke kombinuar sanksione të reja me kërcënime ndaj partnerëve tregtarë të Teheranit.

Reuters raporton se deklarata e tij nuk shkoi deri te disa prej sanksioneve më ndëshkuese dhe nuk përcaktoi vendet specifike që do të shënjestrohen, apo se kur do të hyjnë në fuqi këto masa.

Shtetet e Bashkuara do të përcaktojnë afate kohore për vendet e tjera që të ndërpresin aktivitetet ekonomike me Iranin dhe kërcënojnë me masa të paspecifikuara nëse ato nuk respektojnë kërkesat.

Subjektet e huaja që lehtësojnë pastrimin e parave ose shmangien e sanksioneve ndaj Iranit rrezikojnë të përjashtohen nga sistemi financiar amerikan.

Më shumë lloje aktivitetesh ekonomike me Iranin mund të çojnë tani në sanksione dytësore ndaj vendeve, individëve ose subjekteve të tjera, pavarësisht vendndodhjes së tyre.

Këto aktivitete të listuara rishtazi përfshijnë transaksionet me asete digjitale, si kriptomonedhat, teknologjinë, arin, aviacionin dhe transportin detar.

Zyra e Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka vendosur sanksione të veçanta ndaj rreth 60 subjekteve, individëve dhe anijeve, për të cilat thotë se mundësojnë aktivitetet e Iranit.

Sanksionet e reja shënjestrojnë rrjetin e prokurimit të Ministrisë iraniane të Mbrojtjes për programet balistike dhe bërthamore, një grup kibernetik që, sipas SHBA-së, qëndron pas sulmeve ndaj infrastrukturës amerikane, si dhe rrjetin e transportit detar, tregtisë dhe financave të përfshirë në shitjet e naftës iraniane.

OFAC ka pezulluar gjithashtu disa licenca që më parë lejonin disa transferta parash drejt Iranit, si dhe qasjen e iranianëve në sistemin kulturor dhe akademik të SHBA-së.

Më shumë se 20 nga sanksionet e reja synojnë subjekte dhe individë në Lindjen e Mesme dhe Azi, të cilët, sipas Thesarit Amerikan, janë të përfshirë në mbështetjen financiare dhe logjistike për kërkimet bërthamore dhe zhvillimin e raketave në Iran.

Këtu përfshihen kompani me bazë në Kinë, të cilat kanë furnizuar me pajisje me përdorim të dyfishtë një institut iranian të teknologjisë që ishte sanksionuar më parë.

SHBA-ja po zgjeron sanksionet ndaj disa individëve të sanksionuar më parë, duke i akuzuar për përfshirje në krime kibernetike ose për kërcënime ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Sanksionet e reja, që synojnë ndalimin e eksporteve të naftës së Iranit, përfshijnë ndërmjetës të anijeve, ofrues të shërbimeve të furnizimit me karburant për anijet dhe ndërmjetës financiarë.

Në listë janë përfshirë disa individë dhe subjekte me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe të tjerë në Singapor dhe Hong Kong.

Thesari ka identifikuar gjithashtu pesë cisterna nafte si pjesë të asaj që e ka quajtur “flota në hije” dhe i ka klasifikuar si “pasuri të bllokuara”, që do të thotë se OFAC ua ndalon shtetasve amerikanë ose personave me bazë në SHBA të kryejnë transaksione financiare me to.