Organizatat e dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur një ofensivë diplomatike përmes takimeve me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, me fokus procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Këto takime, që po zhvillohen prej dy muajsh, janë të parat të këtij lloji dhe vijnë në një kohë kur, sipas veteranëve, ka një “ndryshim të lehtë” në qasjen e ndërkombëtarëve në raport me këtë çështje.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një bisedë për VOX Kosova, tha se temë qendrore të bisedimeve janë “padrejtësitë dhe parregullsitë” që po ndodhin në Gjykatën Speciale. Ai thekson se në këto takime po ka edhe “solidarizim”.
“Janë duke na pritur me admirim, më kanë befasu. “Çdo ambasade i dorëzojmë dokumentacion të shkruar në gjuhën angleze për shkeljet dhe presim që ata ta ngrisin zërin nga vendet e tyre. Përpara takime të organizatave s’ka pas me ambasada. E është hera e parë”, potencoi Gucati.
Deri më tani, OVL-UÇK ka mbajtur takime me ambasadën e Zvicrës, Gjermanisë, Suedisë, Turqisë dhe atë të Bashkimit Evropian. Por, Gucati paralajmëroi se së shpejti do të mbahen edhe me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe.
“Na kanë lajmëruar se do të na njoftojnë për datën”, shtoi ai.
Më 7 gusht, në Prishtinë, u mbajt edhe një protestë kundër Gjykatës Speciale. Dhjetëra mijëra pjesëmarrës shprehën frustrimin e tyre ndaj procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen që pesë vjet katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.