Një ditë pasi dështoi që në Kuvendin e Kosovës të marrë 61 vota për Qeverinë Kurti 3, kryeministri në detyrë, Albin Kurti u paraqit në një konferencë për media. Tha se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme, pasi që sipas tij, ai “refuzon ta shtrembërojë rezultatin e zgjedhjeve”.
“Angazhohemi që të punojmë që ta zhvillojmë shtetin e jo që ta mbajmë pushtetin. Prandaj para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi natyrisht siç e pamë nga dita e djeshme nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja”, tha Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes shtoi tutje se rreziku ekziston që vendi të shkojë në dy palë zgjedhje: Në dhjetor dhe në pranverë, atëherë kur i skadon mandati presidentes Vjosa Osmani.
“Është për të ardhur keq që do të mund të kemi përveç balotazhit, edhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një Qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi vetëm katër muaj deri të zgjedhja e Presidentit”, shtoi.
Me një fjalor të ashpër e të karakterizuar me sulme ai përshkroi raportin e partisë së tij me LDK-në e PDK-në. Tha se “tentoi”, por “s’mundi t’i ndajë njëren nga tjetra”. Akuzoi se këto dy subjekte kanë pazare, kumari e interesa me njëra tjetrën.
“Vetëvendosje, unë si kryeministër i Republikës së Kosovës duket që duke bërë gjëra të mira për Kosovën, kam prishë disa pazare e kumari. Po ky s’ka qenë qëllimi im. Qëllimi im s’ka qenë t’ua prishi atyre pazaret e kumaritë. Qëllimi im ka qenë të bëj mirë për Kosovën. E tash, që duke bërë mirë për Kosovën disa i humbin privilegjet nga pazaret dhe kumaritë, s’kam çfarë ju bëj dhe ankesat e tyre s’mund të më ndalin mua”, theksoi Kurti.
Kurti nga gazetarët u pyet edhe për faktin se ai dhe vartësit e tij në qeveri e parti gjatë gjithë kohës muajve të fundit shprehnin bindjen se i kishin numrat për formimin e qeverisë së re. U përgjigj se po të votohej “tinëz”, ai do t’i arrinte 61 vota.
“Unë jam i bindur që në atë kohë që Albulena i ka pasë 61 vota me votim të fshehtë dhe insistimi im ka qenë më testoni, pra më provoni. Besoj që, që nga pranvera, vera e deri në vjeshtë numrat kanë lëvizur. Prej 56, deri në 62-63, nga java në javë dhe dje ishin 56. Tash, janë tre katër deputetë që na e kanë thënë shumë qartë, bëni ju 60 vota ne jemi i 61-ti”, tha.
Si i mandatuar nga Presidentja, Vjosa Osmani, Albin Kurti si kryeministër e 19 individët e propozuar nga ai për ministra dështuan në testin final në Kuvendin e Kosovës. Morën vetëm 56 vota, nga 61 sa duhen për miratim. Çështja tani është sërish në dorën e Presidentes Osmani.









