Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar, ka ftuar qytetarët shqiptarë që të dalin masivisht në zgjedhjet në Serbi.
Këto komente, Kamberi i ka bërë në një prononcim për gazetarë, pasi ka votuar në qendrën e tij të votimit në fshatin Tërnoc.
“Ne e kemi përmbushur atë pjesën tonë si obligative përgatitje për këto zgjedhje. Sot kam kryer edhe detyrën time qytetare personalisht. Dhe ajo që pres që qytetarët, banorët e Tërnocit, por edhe të gjithë Luginës së Preshevës duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë masive të drejtën e vetë për të votuar”, ka thënë ai.
Kamberi thekson se është e drejtë demokratike dhe është e drejtë të cilën “nuk mundet askush me e cenu, prandaj secili prej tyre e ka obligim edhe moral edhe kombëtar edhe politik që ta kryejë këtë detyrë dhe të marrë pjesë në këto zgjedhje”.
Ajo që duhet të lavdërohet, sipas tij, “është ardhja e bashkëvendësve tanë nga Kosova që jetojnë e që kanë ardhur këtu sot për të ndihmuar këtë proces”.
Zgjedhjet, Kamberi thekson se janë një hap drejt demokracisë dhe “demokracia në përfaqësim është e rëndësishme për pozitën çfarë e kemi ne këtu në Preshevë”.
I pyetur se cilat janë pritshmëritë nga këto zgjedhje, Kamberi tha se pret që shqiptarët të fitojnë tre deputetë.
“Pritshmëritë janë ato që është forca reale e subjekteve politike shqiptare në Luginë të Preshevës, kur i merr rezultatet e zgjedhjeve lokale janë diku 26 mijë, 27 mijë vota shqiptare që kemi pasur vetëm dy vite më herët. Duke pasur parasysh se regjistri zgjedhor pasurohet gjithmonë me gjenerata që mbushin 18 vjet, pra është realisht që presim që të arrijmë tre mandate në këto zgjedhje”, shtoi ai.
Shqiptarët janë duke garuar në një listë zgjedhore në zgjedhjet në Serbi.









